Fetva e re e shejhut, dijetarit të hadithit, Abdullah es Sa'd – Allahu e ruajtë – rreth agjërimit me shtetet që mbështeten në llogaritje astronomike
Kjo është një pyetje drejtuar shejhut, muhaddithit Abdullah es Sa'd, me rastin e vizitës së disa studentëve të dijes nga vendet e Ballkanit dhe të tjera, të cilët studiojnë në Universitetin Islamik në Medinë, tek shejhu në xhaminë e tij në Riad, në vitin 1444 hixhri, që përkon me muajin mars të vitit 2023.
Pyetësi thotë:
O shejh i nderuar, Allahu ju shpërbleftë me të mira, kam një pyetje lidhur me hyrjen dhe daljen e muajit Ramazan.
Kjo çështje përsëritet çdo vit dhe duam sqarim, Allahu ju shpërbleftë.
Tek ne në Maqedoni ka një grup që mbështetet në një shtet të caktuar për përcaktimin e hyrjes dhe daljes së Ramazanit.
Dhe ky shtet vendos se fillimi i Ramazanit është në këtë datë (duke e caktuar atë), domethënë sipas llogaritjes astronomike.
Dhe ka një grup tjetër…?
Shejhu u përgjigj:
Vallahi, Allahu të bekoftë, përcaktimi i shikimit të hënës së re (hilalit), pra futja e Ramazanit apo e ndonjë muaji tjetër përmes llogaritjes astronomike, kjo nuk është e vlefshme sipas Sheriatit.
Po, në hadith thuhet:
"Ne jemi një popull analfabet, nuk shkruajmë dhe nuk llogarisim".
Ky hadith është në dy Sahihët (Buhari dhe Muslim).
Dhe po ashtu (hadithi):
"Agjëroni kur ta shihni atë (hënën) dhe çeleni kur ta shihni atë".
Ky hadith është gjithashtu në dy Sahihët, hadithi i Abdullah ibn Omerit.
Pra, me llogaritje astronomike, nuk merret parasysh.
Prandaj, vëllezërit obligohen që të përpiqen ta shohin hënën e re, në cilindo vend prej vendeve islame që ndodhen, të dalin për ta vëzhguar.
Nëse e shohin, atëherë mirë.
Nëse jo, atëherë e plotësojnë numrin (30 ditë të muajit Shaban).
Dhe kur kjo çështje (domethënë shikimi i hënës) fillon nga njëzet vëllezër, tridhjetë, njëqind, dyqind prej tyre, atëherë kjo përhapet dhe bëhet e ditur.