Papërgjegjësia si epidemi: rrënimi i vlerave në heshtje!
Njerëzit e papërgjegjshëm, kur u kërkohet llogari, e quajnë këtë zullum, por sa zullum i madh është vetë papërgjegjësia, sidomos kur krijohet bindja se pozitat publike në Islam janë pa llogari!
Ata mendojnë se njerëzit që punojnë për të mirën kolektive janë për t’u shfrytëzuar dhe se nuk meritojnë as dëgjim, as respekt.
Në të vërtetë, kjo është një luftë e hapur ndaj vlerave, ku përgjegjësia paraqitet si padrejtësi, ndërsa papërgjegjësia si liri.
Nëse nuk ndërmarrim hapa për ta ruajtur përgjegjësinë, pasojat do të na kthehen në çdo nivel, në ummet, në familje dhe në xhemat, derisa kjo sëmundje të shndërrohet në një epidemi ngjitëse.
I Dërguari ﷺ ka thënë: “Çdonjëri prej jush është bari dhe çdonjëri është përgjegjës për kopenë e tij…”
Ky është parimi themelor, përgjegjësia nuk është zgjedhje, por amanet, dhe çdo shmangie prej saj është tradhti ndaj këtij amaneti.
Madje, papërgjegjësia është shpesh një formë e robërimit ndaj kësaj bote. I Dërguari ﷺ ka thënë: “U shkatërroftë robi i dinarit, robi i dirhemit, robi i rrobës së bukur dhe i mantelave! Nëse i jepet, kënaqet, e nëse nuk i jepet, zemërohet…”
Kështu, kur njeriu lidhet me interesin dhe përfitimin, ai e humb ndjenjën e amanetit dhe përgjegjësisë, duke u bërë rob i asaj që merr, jo i asaj që është e drejtë.
Prandaj, ruajtja e përgjegjësisë nuk është thjesht çështje organizimi, por çështje besimi, morali dhe shpëtimi.
Hoxhë Rexhep Memishi